Email

Për “vrasësen” Diana Çuli dhe Agron Tufën…

Email

Nga Ardian Vehbiu

Këto ditë është kthyer vëmendja e opinionit për përgjegjësinë morale të shkrimtares Diana Çuli ndaj dënimit me vdekje të Genc Lekës; dhe pikërisht ngaqë Çuli ka bërë, me kërkesë të hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme në Librazhd, ekspertimin letrar të poezive-dorëshkrim të Lekës; duke hartuar një akt-ekspertim që pastaj rezulton të jetë përdorur dhe cituar në gjyqin kundër Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në 1977.

Veçanërisht i ashpër po tregohet këto ditë shkrimtari Agron Tufa, sipas të cilit “Diana Çuli ka luajtur një rol fatal në pushkatimin e poetit Genc Leka”.

Mua ky përqendrim i akuzave te Çuli, për një proces gjyqësor dhe ekzekutim të bujshëm të orkestruar nga regjimi i Hoxhës në vite ashpërsimi maksimal të luftës së klasave, më duket të paktën i ekzagjeruar; aq më tepër që Genc Leka dhe vëllezërit Blloshmi u dënuan për pjesëmarrje në një grup armiqësor që synonte sabotimin ekonomik dhe përmbysjen e “pushtetit popullor”.

Ekspertiza e Çulit e shumta mund të ketë ndihmuar për të konfirmuar disidencën politike të Lekës, çfarë nuk do të mjaftonte, në vetvete, për dhënien e dënimit me vdekje.

Këtë sqarim mund ta bënte më mirë një jurist, me njohuri profesionale për sistemin penal të shtetit totalitar.

Nuk do shumë mend që një gjyq i kësaj natyre ishte menduar që të shërbente si gjyq shembullor, ose për të ilustruar kapacitetin e organeve të “diktaturës së proletariatit” për dhunë kundër armikut të klasës; fatet e të pandehurve ishin vendosur tashmë – meqë vrasja e tyre do të shërbente edhe si ndëshkim, edhe si sinjal për të tjerët.

Në këtë mes, kërkesa e hetuesisë për ekspertizë të poezive-dorëshkrim që i janë gjetur Lekës duket sikur provon natyrën teatrale të këtij gjyqi, i cili shndërrohet tashmë edhe në mishërimin skenik të nivelit të lartë dhe të regjisuar me kujdes të parimit të luftës së klasave në praktikë. Organet e pushtetit nuk kishin nevojë për interpretimin e poezive-dorëshkrim, që të jepnin dënimin maksimal; por e kishin përfshirë analizën letrare për konsum të publikut, ose për terror.

Prandaj akt-ekspertimi i poezive nuk mund të gjykohet si diçka që kontribuoi sadopak në vrasjen e paralajmëruar të Lekës dhe të Blloshmit, nga ana e organeve të diktaturës; por vetëm si pjesë e koreografisë dhe spektaklit politik, juridik dhe ideologjik.

Në fakt, po të nisej nga mënyra si procedohej në raste të tilla, Çuli vështirë të ketë dalë vullnetare, ose të jetë ofruar për ta kryer ekspertizën: thjesht ia kërkuan ose “propozuan” zyrtarisht. Dhe, meqenëse kjo ishte një redaktore që sapo kish filluar punën në gazetën “Drita”, ata që e zgjodhën, nuk është se u udhëhoqën nga ndonjë kriter mirëfilli profesional. Vendimin se kujt do t’i ngarkohej ekspertimi do ta ketë marrë ndoshta një organ i rangut të Kryesisë së LSHA-së, por gjithnjë sipas urdhrit, porosisë ose orientimit nga Organizata-Bazë e Partisë në LSHA dhe në ndonjë organ partiak edhe më lart, si Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës. Redaktores së re vetëm sa ia kanë kaluar këtë “patate të nxehtë”, me bindjen se ajo nuk do ta refuzonte dot.

E kam të vështirë të përfytyroj drejtues të lartë të LSHA-së, si Dritëro Agolli ose Ismail Kadareja, që të merrnin përsipër ekspertiza të tilla për llogari të një gjyqi politik.

Një punonjëse e re, si Çuli (për më tepër grua në një mjedis të dominuar nga burrat, si ai i letërsisë dhe i arteve), së cilës i ngarkuan një detyrë kaq delikate, është gjendur në krye para dilemës nëse duhej ta pranonte apo jo këtë detyrë “nga lart”; dhe më pas, para dilemës tjetër se çfarë të vinte në këtë akt-ekspertizë.

Ne që e gjykojmë sot këtë punë, jo gjithnjë bëjmë dallim midis aktit (e bëj/nuk e bëj) dhe përmbajtjes së ekspertizës (rënduese/lehtësuese); por pa këtë dallim, edhe përgjegjësia morale e palëve nuk do të kuptohet dot.

Për të gjykuar drejt sa hapësirë lirie individuale kishte realisht Çuli përballë kësaj kërkese për t’u bërë pjesë e një hetimi dhe gjykimi penal por në thelb politik, na duhet të kujtojmë se, brenda sistemit të atëhershëm, pranimi i një kërkese zyrtare nuk kish të njëjtën peshë me refuzimin; meqë prej Çulit, si prej kujtdo tjetër, pritej që kërkesa të tilla t’i pranonte, ndërsa refuzimi do të duhej shpjeguar me hollësi, meqë perceptimi i tij i pandërmjetëm do të ishte si akt armiqësor ndaj regjimit vetë.

Kjo do të thotë se pranimi riprodhonte raportin e qytetarit me pushtetin, në trajtë rituali: autoriteti të kërkon diçka dhe ti e pranon këtë, duke u konformuar: përgjegjësia morale këtu kufizohet me detyrimin politik për të zbatuar urdhrin, brenda një regjimi policor.

Një krahasim me votën dhe votimin në totalitarizëm mund të ndihmojë: të gjithë ne që kemi votuar për deputetët e asaj kohe, nuk e bënim me vetëdijen se po merrnim pjesë në riprodhimin e demokracisë “popullore”, por ngaqë pritej që të votonim, ose ngaqë nuk kishim alternativë të arsyeshme; nëse vota vetë kishte natyrë rituale, refuzimi për të votuar merrte menjëherë valencë politike katastrofike, madje do të ndëshkohej edhe më rëndë se vota “kundër”, meqë do të interpretohej si refuzim jo i kandidatit, por i vetë sistemit.

Çfarëdo të thotë se Çuli, si çdo qytetar tjetër, nuk ishte e lirë për ta refuzuar kërkesën delikate që i erdhi nga një autoritet; dhe kjo mungesë lirie e kufizon vetvetiu edhe përgjegjësinë e saj morale.

Aq më tepër që kjo ekspertizë iu kërkua dikujt që nuk ishte asesi ekspert për analiza të tilla, po të kemi parasysh që Çuli atë kohë sa kish nisur punën si redaktore te një gazetë letrare; prandaj, edhe sikur të gjente aq kurajë në vete sa ta refuzonte këtë detyrë, ekspertiza do t’i kërkohej dikujt tjetër; dhe refuzuesja vetëm sa do të merrte ndëshkimin përkatës.

Madje jo vetëm kaq: refuzimi i Çulit mund t’i shërbente integritetit të saj vetjak, por nuk do të ishte sinjal, as shembull i ndonjë disidence a vetë-martirizimi, meqë gjithçka do të konsumohej larg syve të publikut, në dhomat e mbledhjeve të organizatës-bazë dhe në zyrat …read more