Email

INTERVISTA/ Rrëfehet Helena Kadare: Jeta me Ismailin mes Tiranës e Parisit

Email

Mira Kazhani: Sa herë kam ardhur në Paris gjithmonë kam menduar se çfarë jeni duke bërë ju të dy, Ismaili dhe ju. Si është dita e Helenës këtu?

Helena Kadare: Është një ditë e zakonshme e mbushur më shumë angazhime. Kryesisht gjera që lidhen me Ismailin. Mëngjesi fillon, për secilin veç e veç, në leximin në internet të lajmeve që vijnë nga Shqipëria. Kam kujdes që, se paku, orët e para të ditës të kalojnë pa i komentuar ato, e sidomos gjatë ngrënies së mëngjesit. Një fjalë goje! I them Is: Le të hamë një mëngjes në qetësi dhe pa lajme… Kemi rënë dakord për këtë por në të vërtet nuk ndodh asnjëherë kështu. Sepse, siç e dini fort mirë edhe ju që vini prej andej, nuk ka ditë që të mos ndodhe diçka atje. Herë e mirë, herë e keqe, më së shumti kjo e fundit. Si të gjithë bashkëkombësit tanë, kudo që janë, duam që atje punët të shkojnë mbarë, që synimi i politikave të jetë çuarja e Shqipërisë në Europë, që ajo të bëhet një vend normal, që të ketë shtet ligjor, me pak sherre dhe mospajtime dhe që ky vendi ynë të hyjë, më në fund, në gjirin e Europës, të përparojë e të begatohet si gjithë vendet e tjera të kësaj zone të botës.

Mira Kazhani: Çfarë nuk ju pëlqen konkretisht? Një gjë qe ju trishton kur e dëgjoni nga Shqipëria?

Helena Kadare: Kam bindjen se shumica e shqiptarëve e duan me gjithë shpirt rikthimin e kombit tonë në Europë, pas 500 vjetësh të shkëputur nga otomanet dhe dyzetë vjet nga komunizmi. Mirëpo gjërat që ndodhin atje të prishin gjakun. Një pjesë e veprimeve të politikanëve tregojnë se jo të gjithë e duan një gjë të tillë.

Mira Kazhani: Po a ka figura në politikë që ju pëlqejnë ? Që i ndiqni me vëmendje dhe thoni: Po, ky po e bën punën e tij. Ky është një njeri-politikan i mirë për Shqipërinë.

Helena Kadare: Po sigurisht që ka. Ka të tillë, pa dyshim. Ka madje shumë djem dhe vajza të tjerë të talentuar, që nuk bëjnë pjesë në politikë, por që janë të zot për një punë të tille. Lidhur me këtë, po të tregoj një kuriozitet. Para ca ditëve mori në telefon një gazetar amerikan qe kërkonte një intervistë me Is. Dhe bëmë pak muhabet mbasi ai dinte ca frëngjisht. E dini ç’më tha? Në Amerikë shqiptarët e arsimuar që kanë ardhur këtu, bëjnë një përshtypje të jashtëzakonshme. Janë të dijshëm, shumë të zot, dinë rrjedhshëm nga tri gjuhë të huaja, që i përdorin pa problem, gjë që nuk është aq e lehtë për një amerikan. Shqiptarët e tillë janë shumë të mirëpritur në Amerikë. Unë vetë kam qenë në Shqipëri dhe jam mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Dhe kam pyetur veten, përse ky vend me këto kapacitete njerëzore, me këtë natyrë e klimë të mrekullueshme, nuk arrin ta ngrejë kokën, ka përherë probleme, nuk ecën përpara, ashtu siç do të ishte dashur të ecte… Për të vijuar pyetjen tuaj. Po, i ndjek me vëmendje ngjarjet e vendit tim nëpërmjet shtypit, rubrikave televizive, kontakteve të shumta që kam në Shqipëri. S’do mend, entuziazmohem kur punët shkojnë mirë, kur shoh e dëgjoj djem dhe gra të mençura, që i kanë idetë të qarta, që përdorin logjiken dhe jo militantizmin e radhës, dhe sidomos që dinë të ruajnë etiken e të folurit. Ndoshta të duket si pa rendësi kjo e fundit, por më beso, tek njerëzit që jetojnë aty, që janë të lodhur nga sherret dhe demagogjia agresive, kjo mënyrë të foluri ka një efekt jashtëzakonisht negativ. I përmbahem mendimit se me urrejtje bëhen shumë gjera, akoma me shumë behën me dashuri. Nga miq e të njohur që kam atje, kuptoj se të gjithë e duan, e vlerësojnë dhe e presin këtë gjë. Ata për të cilët po flas, janë njerëz pa poste, janë intelektualë të mirëfilltë apo njerëz të thjeshtë, por që aspirojnë për një jetë normale, pa grindje dhe pa fyerje. Madje dëgjoj prej tyre që shpesh e mbyllin fare televizorin, aq e padurueshme iu bëhet gjuha e dhunshme që sundon atje. Është e mundur që politikanët tanë të mos ta kuptojnë një gjë të tillë? Që të bëjnë një përpjekje të përbashkët për t’u marrë vesh normalisht? Më ka rënë rasti të dëgjoj, në një darkë miqësore një grua, që s’ishte aspak budallaqe, madje dhe e bukur, do të shtoja, që këmbëngulte: Epo ashtu e do politika. Ndryshe nuk ia del dot ! Mbeta pa fjalë…

Mira Kazhani: Çfarë ju bën veçanërisht përshtypje atje?

Helena Kadare: Mira, unë iu përkas njerëzve pozitiviste dhe përgjithësisht kërkoj të gjej të mirën edhe atje ku nganjëherë ajo s’ekziston. Mundohem ta largoj nga mendja të keqen, por jo gjithnjë ia arrij. Ku ta dish, ndoshta ngaqë s’jam në politikë… Ndoshta në atë terren, optika e të parit është ndryshe. Ndaj më pëlqejnë ato vajza dhe ata djem të përgatitur, që kërkojnë t’u japin një drejtim pozitiv gjërave, siç më dëshpërojnë tipat negativiste, që me dashje, do të thoshja, shikojnë zi ngado, aspirojnë kaosin dhe, me sa duket, (madje shpesh është aq e dukshme) i ngazëllen kjo kahje negative e të parit të gjërave. Sot pashë ne lajme që u përurua një ujësjellës i ri për Tiranën, pastaj dikush tjetër që i kundërvihet Shteteve të Bashkuara, me një mllef të pazakontë. Se cilin nga këto lajme unë parapëlqej është e thjeshtë ta kuptosh. Atë që ndërton ujësjellësin, pa dyshim.

Mira Kazhani: Ambasadori amerikan Donald Lu ju duket simpatik apo edhe tip që po e tepron disi?

Helena Kadare: Çfarë pyetje! Po natyrisht jam katërciperisht dakord me vëmendjen që tregon Amerika ndaj nesh e që transmetohet nëpërmjet qëndrimeve të ambasadorit Lu. Madje e quaj fat të madh për vendin tim që ky ambasador, që përfaqëson një shtet aq të fuqishëm sa s’është Amerika, është i investuar kokë e këmbë në mbarëvajtjen e shqiptarëve. Palodhshmëria …read more